Rreth Programit


Youth Climate Action Fund rikthehet për raundin e dytë pas një thirrjeje të parë të suksesshme ku u financuan dhe realizuan me sukses 8 projekte rinore në Bashkinë Tiranë!
Bashkia Tiranë së bashku me ALBICT i bashkohet kësaj lëvizjeje globale për të fuqizuar të rinjtë në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Si pjesë e Youth Climate Action Fund, mbështetur nga Bloomberg Philanthropies në partneritet me UCLG dhe Qendrën Bloomberg për Inovacionin Publik në Universitetin Johns Hopkins, kjo iniciativë ofron financim dhe asistencë teknike për të mbështetur zgjidhje klimatike të udhëhequra nga të rinjtë.
Nisur nga suksesi i raundit të parë, ky edicion synon të mbështesë projektet më ambicioze dhe të forcojë angazhimin e të rinjve në politikat lokale për klimën.
Ky është momenti juaj për të udhëhequr ndryshimin në komunitetin tuaj dhe për të bashkëpunuar me qeverisjen lokale për një të ardhme më të qëndrueshme. Apliko tani dhe bëhu pjesë e kësaj lëvizjeje globale!
Kush mund të aplikojë?
Të rinjtë e moshës 15-24 vjeç, në grup ose si pjesë e një organizate, banues në Bashkinë Tiranë.
Grupet rinore të përbëra nga të paktën 3 persona, të cilët marrin pjesë aktive në vendimmarrje dhe mbikëqyrjen e projektit.
Organizatat e udhëhequra nga të rinjtë ose që punojnë në shërbim të tyre, që:
Janë të regjistruara ligjërisht dhe kanë qëllime bamirësie dhe llogari bankare në emër të organizatës.
Organizata mbështetëse që mund të administrojnë fondet për projektet e të rinjve, si:
Institucione arsimore (shkolla, biblioteka, muze), organizata komunitare, fetare ose njësi të tjera të njohura që veprojnë si agjentë fiskalë.
Fushat e Aplikimit
Ndërgjegjësimi, Edukimi, Kërkimi, Iniciativat e Bashkëzhvillimit
Nisja e iniciativave për zbutjen dhe përshtatjen e klimës
Përfshirja në Qeverisjen e Planeve Lokale të Veprimit për Klimën
Çështjet Klimatike të YCAF Round 2
Ekonomia Qarkulluese
Ndryshimet klimatike kërkojnë veprime të qëndrueshme. Ekonomia qarkulluese ofron zgjidhje përmes 5 R-ve: Refuzo, Redukto, Ripërdor, Rikrijo dhe Riciklo. Të rinjtë ftohen të zhvillojnë ide që rikthejnë produktet në përdorim, shfrytëzojnë teknologjinë dhe fuqizojnë bashkëpunimin në komunitet.
Ndërgjegjësimi mbi Klimën & Komunitetet e Qëndrueshme
Çdo veprim ka ndikim. Të rinjtë mund të udhëheqin ndryshimin përmes fushatave edukative, aktiviteteve komunitare dhe përdorimit të mjeteve digjitale për të rritur ndërgjegjësimin mbi ndryshimet klimatike dhe ndërtimin e komuniteteve më të qëndrueshme.
Mobiliteti i Qëndrueshëm
Qytete më të pastra nisin me lëvizje më të zgjuara. Ide që promovojnë transport alternativ, biçikleta, skuterë elektrikë, transport publik dhe rrjete të gjelbra urbane janë thelbësore për një klimë më të shëndetshme. Inovacioni dhe teknologjia janë çelësi!
Cilësia e Ajrit & Ndikimi në Klimë
Ajri i pastër është jetik. Nisma për mbjellje pemësh, hapësira të gjelbra, monitorim të ndotjes dhe përdorim të energjive të pastra ndihmojnë në uljen e ndotjes dhe përmirësimin e klimës urbane. Të rinjtë kanë fuqinë të sjellin ndryshimin!