Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Dhjetëra të rinj Korçës u mblodhën në Upshift for Climate Change and COP29 për tu ballafaquar me sfidat e ndryshimeve klimatike

Më 20-21 Korrik qyteti i Korçës mirëpriti edicionin e 19-të të Upshift në Shqipëri. Me tematikë sipërmarrjen sociale, ky edicion i Upshift kishte në vëmendje sfidat e ndryshimeve klimatike.

Organizuar me mbështetjen e Ambasadës së Azerbajxhanit në Shqipëri në kuadër të projektit Youth 4Air & Climate financuar nga Qeveria Suedeze, Upshift zbatohet në Shqipëri nga UNICEF dhe ICTSlab në partneritet me Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe FëmijëtMinistrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ambasada Suedeze.

Që prej edicionit të parë, Upshift në Shqipëri ka fuqizuar dhe mbështetur të rinjtë e moshës 16-24 vjeç përmes metodologjisë Design Thinking, dhe sjellë në vëmendjen e tyre problematika dhe sfida me të cilat përballen çdo ditë me tematika të ndryshme si arti, kultura, cilësia e ajrit, sfidat sociale, sfida mjedisore, turizmi, shëndeti mendor si dhe kontribuar për një të ardhme më të mirë në komunitetet lokale në Shqipëri.

Në Upshift Korça nderuan me pjesëmarrjen e tyre Kryetari i Bashkisë z. Sotiraq Filo, Ambasadori i Republikës së Azerbajxhanit z. Anar Huseynov, përfaqësuesi i UNICEF Albania z. Murat Sahin dhe bashkëthemeluesi i ICTSlab z. Kushtrim Shala të cilët përshëndetën të rinjtë pjesëmarrës në këtë aktivitet.

11 grupe të rinjsh u mblodhën së bashku në Korça Innovation Hub jo vetëm për të ngritur zërin rreth efekteve të ndryshimeve klimatike por edhe të dizajnimit dhe implementimit të zgjidhjeve të cilat minimizojnë impaktin e saj në komunitetet e tyre lokale dhe më gjerë.

Nën kujdesin e mentorëve Stela Viso, Milena Zhuti, Ina Cini, Ina Kosta, Ana Jonuzi, Joan Deli, Gertjan Gjiriti, Megi Koleci, Xhoena Polisi, Besjana Gupi, Diana Mile, Elmira Kambo dhe Adela Voci përgjatë tre ditëve workshop intensiv, në Upshift for Climate Change and COP29 të rinjtë transformuan idetë e tyre për sfidat klimatike në zgjidhje ku më të spikaturat do të implementohen falë mbështetjes së UNICEF dhe ICTSlab.

Me metodologjinë Design Thinking, të rinjtë gjatë ditës së parë punojnë me hartën e palëve të interesit lidhur me sfidën e identifikuar prej tyre ndërsa ndërtojnë pemën e problemit, identifikojnë shkaqet dhe pasojat për të vijuar me konceptimin dhe modelimin e zgjidhjeve të para. Në ditën e dytë, idetë e shtruara gjatë fazave të para teorike shndërrohen në praktikë për ti lënë vend prototipeve, testimit të tyre dhe ndërtimit të një buxheti të nevojshëm për implementimin e zgjidhjes së sfidës.

Përgjatë tre ditëve ekipet e të rinjve u vizituan nga UNICEF Albania dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit znj. Anxhela Çakeri dhe znj. Vesjana Rredhi.

Në fund të workshopit të rinjtë prezantuan sfidat e identifikuara dhe zgjidhjet e zhvilluara prej tyre përballë jurisë së Upshift for Climate Change and COP29 e cila këtë edicion përbëhej nga nga z. Eduard Gorenca,  Specialist Prokurimi në UNICEF, znj. Brisida Jahaj, Oficere për Zhvillimin e Adoleshentëve në UNICEF, znj. Anxhela Çakeri, nga Drejtoria e Natyrës dhe Pyjeve në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Brunilda Ndili, Drejtore Kabineti në Bashkinë Korçë, Denajder Bardhi, Alumni i Upshift dhe Esmeralda Shala, CEO e ICTSlab.

Të pranishëm në evenimentin përmbyllës ishin Kryetari i Bashkisë z. Sotiraq Filo, Përfaqësuesi i UNICEF Shqipëri z. Murat Sahin,  Ambasadori i Republikës së Azerbaxhanit, z. Anar Huseynov, z. Deputeti i Parlamentit të Shqipërisë z. Niko Peleshi, Deputetja e Parlamentit të Shqipërisë znj. Enslemvera Zake, nga Drejtoria e Natyrës dhe Pyjeve në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit znj. Vesjana Redhi dhe bashkëthemeluesi i ICTSlab z. Kushtrim Shala.

Në fjalën e tyre të rastit për të pranishmit, ata përshëndetin aktivitetin, përgëzuan dhe inkurajuan të rinjtë dhe vunë theksin tek rëndësia dhe impakti që nisma të tilla si Upshift kanë në fuqizimin të rinjve.

Secili prej grupeve pjesëmarrës prezantoi për 3 minuta ndjekur nga 2 minuta pyetje përgjigje nga juria. Zëri i NatyrësEradicate 6-88GreenSchoolSpray n’ PlayGreen Tech, dhe G8 u shpallën grupet fituese të edicionit të 19-të. Ata do të mbështeten financiarisht nga Upshift për vënien në zbatim të ideve të tyre.

Grupet Fituese të Upshift for Climate Change and COP29

Grupi “Zëri i Natyrës” me anëtarë Fllvia, Gloria, Erilda, Darlina, Antonio dhe Mentor Gertjanin ka si qëllim krijimin e një këndi ekologjik dijesh, i cili do të jetë në dobi të nxënësve të shkollës dhe pjesëtarëve të çdo grupmoshe te komunitetit, si një mjet sensibilizues për mbrojtjen e mjedisit.

Grupi “Eradicate 6-88” me anëtarë: Jona, Roela, Rafail, Ergi dhe mentor Joanin synon t’i japë zgjidhje problemit të ndotjes së ajrit në qytetin e Korçës me një zgjidhje inovative dhe një koncept te ri “Vertical Park” . Përveç shtimit të hapësirave të gjelbra, pastrimit të ajrit, do të ketë një impakt të madh në ndërgjegjësimin, aktivizimin dhe sensibilizimin e të rinjve.

Grupi “Green School” me anëtarë Anjelin, Nikolën, Marion dhe Dhimitrin dhe me mentore Anën, synojnë të realizojnë mbjelljen e pemëve në oborrin e shkollës dhe të krijojnë një grup me vullnetarë të cilët do të menaxhojnë dhe pemën e mbjella. Pemët e mbjella do të jenë pemë dekorative dhe pemë frutore, të cilat pas pjekjes do të shpërndahen në qendrat rezidenciale nga grupi vullnetar.

Grupi “Spray and Play” me anëtarë: Alisja, Ermira, Katerina, Megi, Sabrina dhe mentore Besjanën ka si qëllim të promovojë përdorimin e metodave ekologjike në bujqësi duke sjellë një mendim dhe një frymë të re për zëvendësimin e pesticideve kimike me ato organike.

Grupi “Greentech” me anëtarë: Dea, Eviljana, Megi, Nikolin dhe Thanasioti dhe mentore Milenën synon të  krijojë një stol me strehë ku qytetarët të pushojnë dhe të karikojnë telefonat e tyre në rrugë. Mundësimi i karikimit, ndriçimit dhe internetit falas, do të bëhet me anë të paneleve diellore dhe energjisë së ripërtëritshme.

Grupi “G8” me anëtare: Elena, Katerina, Lira, Sofia, Joani, Xhimi dhe me mentore Xhoenën synon të ulë emetimin e ndotjeve në ajër duke informuar, ndërgjegjësuar komunitetin me aktivitete të ndryshme vullnetare nga të rinjtë, si dhe duke përmirësuar infrastrukturën aktuale të transportit urban dhe korsive te biçikletave nëpërmjet hartëzimit digjital, tabelave informuese neper stacione etj.

Leave a comment