Dje, më datë 13 shtator, u përmbyll me sukses në qytetin e Korçës rrugëtimi i Hackathon-it Zero City Lab.

Zero City Lab, i ndërtuar mbi kornizën e Urban Partnership Accelerator, ka si qëllim jo vetëm përfshirjen e të gjithë aktorëve në proceset vendimmarrëse, por edhe fuqizimin e bizneseve lokale, sipërmarrësve dhe inovatorëve në zonën e Korçës, Pogradecit dhe Prrenjasit për të dizenjuar, ndërtuar prototipe, testuar dhe pilotuar zgjidhje të qëndrueshme për ekonominë qarkulluese. Këto zgjidhje kanë potencialin të zhvillohen më tej, të replikohen dhe të gjenerojnë ndikim pozitiv mjedisor dhe social.
Dita e parë e Hackathon-it nisi me shumë energji mes 20 grupeve të përzgjedhura nga sektorë të ndryshëm si: bujqësia, përpunimi i ushqimit, turizmi, përpunimi i drurit etj. Hapja u bë me disa fjalë përshëndetëse e motivuese nga Z. Kushtrim Shala, Drejtor Ekzekutiv i ALBICT, të pasuara nga Z. Kletjon Kita, zëvendëskryetar i Bashkisë Korçë dhe Z. Marcel Thomkins, Drejtues i projektit “BE-ja për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme (EU4CELC)”, i cili ndau me ekipet vizionin e Zero City Lab për t’i bërë qytetet më të qëndrueshme.



Grupet ndoqën workshop-et e përgatitura, të cilat i ndihmuan të konkretizojnë modelet e tyre të biznesit, dhe u mentoruan nga: Znj. Albana Cule, Znj. Sonela Stillo, Znj. Mamica Nene, Z. Gjergji Mero, Znj. Ada Permeti, Z. Besnik Skenderasi, Znj. Eleni Vangjeli, Z. Paskal Vogli, Znj. Vjollca Zabërgja, Z. Rubin Haxhiymeri, Znj. Megi Koleci, Z. Joan Deli dhe Znj. Ina Cini.




Ditën e dytë, grupet vijuan punën duke finalizuar konceptet e tyre dhe u përqendruan te prezantimet finale të ditës së tretë. Ata punuan intensivisht me mentorët në sesione të dedikuara dhe workshop-e për të rafinuar idetë dhe prezantimet.
Dita e tretë dhe finale e Hackathon-it nisi më 13 shtator në Korça Innovation Hub. Aktiviteti u nderua nga pjesëmarrja e Znj. Ledia Bonja, Përgjegjëse e Sektorit të Monitorimit të Kompetencave Vendore dhe Funksioneve të Deleguara pranë Prefektit të Qarkut Korçë. 17 grupet finaliste prezantuan idetë e tyre në formatin 3 minuta prezantim + 2 minuta pyetje-përgjigje përballë jurisë së përbërë nga: Z. Kushtrim Shala, Znj. Valbona Koçi (Këshilltare pranë EU4Innovation), Znj. Vjollca Misini Zabërgja (Drejtuese e Projekteve Strategjike në DEA Group), Z. Jon Baboçi (themelues i Layer) dhe Z. Rubin Beci (Këshilltar pranë EU4CELC).



Pas një procesi konkurrues vlerësimi, mes zgjidhjeve cilësore dhe premtuese për Korçën, Pogradecin dhe Prrenjasin, 11 ekipe u përzgjodhën për të kaluar në fazën e akselerimit. Programi do të zgjasë deri në tetor dhe do të finalizohet me një Demo Day, ku do të përzgjidhen zgjidhjet pilote që do të mbështeten financiarisht nga programi.

11 ekipet fituese të Hackathon-it
- Back2ValueLab – një zgjidhje e integruar për ekonominë qarkulluese që transformon mënyrën se si përdoren, ripërdoren dhe riciklohen bateritë në Shqipëri.
- EKOPROD ltd – zgjidhje që synon të shndërrojë nënproduktet e nxjerra nga përpunimi i kërmillit dhe bimëve mjekësore-aromatike në produkte dytësore me vlerë të lartë.
- Pam Plast – sistem i mbyllur për riciklimin dhe prodhimin e ambalazheve plastike duke kombinuar teknologjitë moderne me lëndë të parë të ricikluar, me synim reduktimin e mbetjeve plastike.
- Gjelbërimi shpk – grumbullim, përpunim dhe riciklim i mbetjeve bimore (gjethe, barëra, degë) për t’i shndërruar në humus organik për përdorim bujqësor dhe urban.
- Boulevard Boutique Hotel – sistem i plotë me produkte hotelerie që rimbushen, që zëvendëson produktet e disponueshme me alternativa të qëndrueshme pa plastikë.
- Legacy Hill – kthimi i mbetjeve organike në kompost dhe zëvendësimi i plastikës njëpërdorimëshe me produkte të ripërdorshme, duke edukuar komunitetin mbi praktikat e ekonomisë qarkulluese.
- m2 furniture – zgjidhje për optimizimin e prerjes së paneleve drusore dhe reduktimin e mbetjeve nga 20% në 8% përmes automatizimit të procesit.
- Thomas Enkelana shpk – kalimi nga kapsulat e kafesë plastike tek kapsula të biodegradueshme, si strategji kryesore për reduktimin e mbetjeve.
- Design Food – Thomo’s Lab – mikro-hub për gastronomi të qëndrueshme dhe trashëgimi kulturore, që aplikon parimet e ekonomisë qarkulluese në sektorin ushqimor, duke zgjeruar suksesin e Thomo’s Drink.
- EcoSofra – Zero Waste Restaurant (Sofra E.Don) – sistem i plotë për reduktimin e mbetjeve ushqimore në restorant dhe pastiçeri, duke i kthyer mbetjet në burime me vlerë.
- Agrofarm shpk – përpunimi i mbetjeve shtazore në plehra organike të gatshme për pemët dhe bimët.