


CASSINI Hackathon, një nismë e mbështetur nga Komisioni Europian, u zhvillua për herë të parë edhe në Shqipëri përmes organizimit nga ALBICT, duke e përfshirë vendin në hartën zyrtare të këtij eventi europian. Edicioni i 7-të me temën “Mjedisi dhe Tranzicioni i Gjelbër” sfidoi pjesëmarrësit – studentë, të diplomuar, studiues dhe start-up-e në fazat e para – që të përdorin të dhënat hapësinore të BE-së për të zhvilluar zgjidhje dixhitale mbi tema si raportimi i gjurmës së karbonit, jetesa e qëndrueshme dhe zbutja e ndryshimeve klimatike. Gjatë tre ditëve të Hackathon-it, pjesëmarrësit punuan intensivisht për të sjellë ide inovatore për zhvillim të qëndrueshëm. Fituesit ishin CROPVISOR, që ndihmon fermerët të zgjedhin kulturat më produktive për zonat e tyre, dhe IKARUS, një sistem për parandalimin e zjarreve me inteligjencë artificiale. CropVisor përfaqësoi Shqipërinë në finalen europiane.