Digital Loop Accelerator (DLA), programi i parë i llojit të vetë në Shqipëri, është lançuar zyrtarisht për të krijuar startup-e të reja nga zero, të bazuara në parimet e ekonomisë qarkulluese që rigjenerojnë burimet, rishikojnë konsumimin dhe formësojnë të ardhmen.
Ndryshe nga programet tradicionale që ndihmojnë startup-et ekzistuese të rriten, kjo iniciativë fokusohet në ndërtimin e tyre me parimet e qëndrueshmërisë që nga dita e parë.
Programi që zhvillohet nga ALBICT dhe Maverick Nation në kuadër të Projektit EU4Circular Economy and Livable Cities, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), dhe zbatuar nga GIZ Albania në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, synon të angazhojë shqiptarët nga vendi, rajoni dhe diaspora në themelimin e startup-eve në Shqipëri.
Pjesëmarrësit mund të zgjedhin një nga pesë modelet e njohura të biznesit në ekonominë qarkulluese, të quajtura “Digital Loops”, ose të propozojnë modelin e tyre. Nuk kërkohet ekzistenca e një startupi ekzistues ose përvojë paraprake në sipërmarrje, mjafton një ekip prej të paktën dy personash dhe një plan i qartë ekzekutimi. Ekipet e përzgjedhura do të ndjekin një program intensiv akselerimi, me mentorim dhe financim deri në 47,000 €.

DLA nisi zyrtarisht më 13 Gusht, me hapjen e aplikimeve, ndjekur nga një webinar më 14 Gusht, ku pjesëmarrësve iu prezantua struktura e programit, kërkesat dhe pritshmëritë për planin e ekzekutimit. Sipërmarrësit Kirill Perepelica (Bashkëthemelues & Drejtor i Përgjithshëm Komercial, Munch) dhe Michael Schmidt (Menaxher në Circuly) gjithashtu morën pjesë në webinar për të ndarë përvojat e tyre dhe për të frymëzuar pjesëmarrësit me shembuj realë se si bizneset mund të zhvillohen mbi parimet e ekonominë qarkulluese. Afati i aplikimeve është data 26 Shtator 2025, dhe të gjithë aplikantët inkurajohen të regjistrohen dhe të marrin pjesë në webinaret e ardhshme për të kuptuar plotësisht programin dhe konceptet e tij.






Digital Loop Accelerator përfaqëson një kapitull të ri për inovacionin në Shqipëri, ku idetë e bazuara në parimet e ekonomisë qarkulluese mund të zhvillohen në sipërmarrje që sellin ndryshim në të ardhmen.